Franca po përballet me protesta të nxënësve në shkallë vendi, të cilat kanë shkaktuar mijëra arrestime, qindra të lënduar dhe dëme në shkolla.
Protestat nisën muajin e kaluar në një shkollë të mesme në Créteil, në juglindje të Parisit, për shkak të mungesës së stafit, ndërsa më pas u përhapën në pjesë të tjera të vendit.
Nxënësit po shprehin pakënaqësitë e tyre për mungesën e burimeve, kushtet e këqija në shkolla dhe numrin e pamjaftueshëm të mësimdhënësve. Ata ankohen edhe për klasat pa ngrohje gjatë dimrit dhe pa kondicionerë gjatë verës, si dhe për ditët e gjata mësimore dhe sistemin e pranimit në universitete, të cilin e konsiderojnë të padrejtë.
Shumica e protestuesve kanë qenë paqësorë, por në disa raste janë shënuar incidente të dhunshme, përfshirë hedhjen e fishekzjarrëve ndaj policisë dhe përdorimin e gazit lotsjellës.
Sipas raportimeve të Associated Press, qindra shkolla janë detyruar të mbyllen për shkak të dëmeve dhe sulmeve ndaj stafit.
Protestat po nxisin debat për gjendjen e sistemit arsimor francez, ndërsa shqetësimet janë shtuar edhe për rënien e rezultateve të nxënësve në matematikë dhe në të kuptuarit e tekstit.
