Shkurte Fejza i drejtohet Edi Ramës me një letër: Dëgjojini studentët, Shqipëria ka nevojë për mirëkuptim

Shkurte Fejza i drejtohet Edi Ramës me një letër: Dëgjojini studentët, Shqipëria ka nevojë për mirëkuptim

Artistja shqiptare Shkurte Fejza i është drejtuar me një letër kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, duke i bërë thirrje që t’i dëgjojë shqetësimet e studentëve dhe të gjendet një zgjidhje përmes mirëkuptimit.

Përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Fejza ka theksuar se studentët nuk duhet të shihen si kundërshtarë, por si pjesë e rëndësishme e së ardhmes së vendit.

Ajo ka kërkuar nga Rama që të gjejë një rrugë pajtimi dhe një zgjidhje të drejtë, e cila do t’u japë shpresë studentëve dhe qetësi familjeve të tyre.

“Kur studentët ngrenë zërin për shqetësimet e tyre, le t’i dëgjojmë me vëmendje, pa paragjykime dhe pa i parë si kundërshtarë. Ata janë bijtë dhe bijat e Shqipërisë, janë rinia ku mbështetet e ardhmja e këtij vendi”, ka shkruar artistja.

Fejza ka vlerësuar se madhështia e udhëheqjes nuk qëndron vetëm te vendimet e marra, por edhe te gatishmëria për të dëgjuar dhe kuptuar qytetarët.

Ajo ka bërë thirrje që të shmanget thellimi i ndasive dhe të ndërtohen ura besimi mes institucioneve dhe qytetarëve.

“Shqipëria është më e madhe se secili prej nesh. Ajo është shtëpia jonë e përbashkët, është amaneti i të parëve dhe ëndrra e fëmijëve tanë”, ka theksuar Fejza.

Në fund të letrës, artistja ka shprehur dëshirën që fjala të shërbejë si urë bashkimi dhe që Shqipëria të ketë më shumë qetësi, drejtësi e mirëkuptim, duke uruar një të ardhme më të mirë për të gjithë shqiptarët.

Related Articles