Policia e Shtetit ka dhënë detaje të reja për vrasjen e dyfishtë që ndodhi në rrugën “Petrela”, në Bathore të Tiranës, ku mbetën të vdekur dy persona dhe një tjetër u plagos.
Sipas njoftimit të policisë, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur gjatë një konflikti për motive të dobëta mes shtetasit N. M. dhe tre vëllezërve, S. I., N. I. dhe Sh. I. Konflikti më pas është përshkallëzuar në përdorimin e armës së zjarrit.
Si pasojë e të shtënave, një 30-vjeçar humbi jetën në vendngjarje, ndërsa dy vëllezërit e tjerë, përkatësisht 48 dhe 44 vjeç, u plagosën dhe u dërguan në spital. Policia njofton se 48-vjeçari nuk arriti t’u mbijetojë plagëve, ndërsa 44-vjeçari vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve.
Si rezultat i veprimeve të shpejta policore, është kapur dhe arrestuar i dyshuari N. M., rreth 40 vjeç, i cili, sipas policisë, është punonjës i Policisë Ushtarake.
Gjatë veprimeve hetimore, është sekuestruar edhe një pistoletë, e dyshuar si arma e përdorur në kryerjen e krimit.
