Caktimi i prokurores Valbona Dishaj-Haxhosaj si ushtruese e detyrës së kryeprokurores në Prokurorinë Themelore të Pejës ka nxitur reagimin e Shkëlqim Pajazitajt, vëllait të Donjeta Pajazitajt, e cila u vra para 11 vjetësh.
Pajazitaj ka kundërshtuar emërimin e saj, duke rikujtuar se Dishaj-Haxhosaj kishte qenë prokurore në rastin e motrës së tij, i cili, sipas tij, ende nuk ka marrë një epilog përfundimtar.
Përmes një reagimi në Facebook, ai ka shprehur pakënaqësinë me vendimin, duke vënë në pikëpyetje mënyrën se si po trajtohet rasti i Donjetës nga institucionet e drejtësisë.
“Në vend që të bëhet thirrje për #Drejtësi, ky vendim po e thellon edhe më shumë mosbesimin tim ndaj sistemit të drejtësisë! Si është e mundur që Valbona Dishaj-Haxhosaj të emërohet në krye të prokurorisë, ndërsa rasti i motrës sime, Donjeta Pajazitaj, edhe pas 11 vjetësh ende nuk ka marrë një epilog përfundimtar?”, ka shkruar ai.
Pajazitaj ka kërkuar gjithashtu llogaridhënie nga institucionet për trajtimin e rastit dhe sqarime për vitet e pritjes së familjes për drejtësi.
“Kush do të japë përgjigje për këto vite pritjeje? Kush do të mbajë përgjegjësi për mënyrën se si është trajtuar rasti i Donjetës? Kërkoj transparencë, llogaridhënie dhe sqarime konkrete nga institucionet përkatëse. Familja ime ka të drejtë të dijë se çfarë ka ndodhur me rastin e motrës sime”, ka deklaruar ai.
Emërimi i Dishaj-Haxhosajt erdhi pas suspendimit të kryeprokurores së Pejës, Lumturije Vuçetaj, në kuadër të zhvillimeve institucionale pas rastit të vrasjes së Arlinda Zekajt.
Reagimi i familjes Pajazitaj rikthen në vëmendje kërkesat për drejtësi dhe përgjegjësi institucionale në rastin e Donjeta Pajazitajt, i cili vazhdon të jetë burim shqetësimi për familjarët e saj.
