Qeveria e Kosovës ka prezantuar projektbuxhetin për vitin 2027, i cili kap vlerën e 4.27 miliardë eurove.
Kryeministri Albin Kurti bëri të ditur se buxheti i planifikuar është 200 milionë euro më i lartë se buxheti i rishikuar për vitin 2026 dhe 300 milionë euro më i lartë se ai fillestar.
Nga shuma e përgjithshme, 908 milionë euro janë paraparë të ndahen për financimin direkt të komunave të Kosovës.
Gjatë prezantimit, Kurti tha se rritja ekonomike ka ndikuar në zgjerimin e buxhetit dhe qëndrueshmërinë e financave publike.
Ai theksoi se ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje prej 5.4 për qind në tremujorin e parë dhe 4.1 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti.
Kurti e cilësoi projektbuxhetin si rekord edhe për komunat, duke përmendur rritjen e financimit përmes granteve qeveritare.
Pas miratimit në Qeveri, projektligji për buxhetin e vitit 2027 pritet t’i procedohet Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe votim.
