“Shqiponjat” bëhen gati për fluturimin e radhës – Bad News Eagles paralajmërojnë rikthimin në Counter-Strike

“Shqiponjat” bëhen gati për fluturimin e radhës – Bad News Eagles paralajmërojnë rikthimin në Counter-Strike

Bad News Eagles, ekipi kosovar që shkroi historinë në skenën ndërkombëtare të Counter-Strike, ka paralajmëruar rikthimin në garat profesionale të esports.

Përmes një postimi në platformën “X”, BNE ka publikuar një mesazh intrigues, duke paralajmëruar se së shpejti do të nisë “një epokë e re, BNE e re”. Postimi është shoqëruar edhe me një video të shkurtër, pa zbuluar më shumë detaje rreth projektit të ri.

“Shqiponjat” nga Kosova u shndërruan në një prej historive më të veçanta të Counter-Strike, pasi arritën të depërtonin në nivelet më të larta të këtij sporti elektronik, pavarësisht se nisën rrugëtimin si ekip pa organizatë. Përmes paraqitjeve të tyre, ata arritën ta përfaqësonin Kosovën në disa prej turneve më të rëndësishme të botës.

Bad News Eagles u formua në vitin 2022 dhe po atë vit shkroi historinë e Counter-Strike-ut kosovar, duke u bërë ekipi i parë nga Kosova që siguroi kualifikimin në një Major, turneu më prestigjioz i kësaj loje. Ekipi mori pjesë në PGL Major Antwerp dhe arriti të kalonte edhe në fazën “Legends”, duke mposhtur kundërshtarë të njohur gjatë rrugëtimit.

Ky sukses nuk mbeti një arritje e vetme. BNE arriti të kualifikohej në tri Majorë radhazi: Antwerp, Rio dhe Paris. Kjo ecuri e vendosi ekipin kosovar në mesin e emrave të njohur të skenës ndërkombëtare të Counter-Strike.

Formacioni që fitoi zemrat e tifozëve përbëhej nga Dionis “sinnopsyy” Budeci, Flatron “juanflatroo” Halimi, Genc “gxx-” Kolgeci, Rigon “rigoN” Gashi dhe Sener “SENER1” Mahuti, emra që u bënë ndër simbolet më të njohura të esports në Kosovë.

Pas një periudhe nën organizatën Guild Esports, ekipi u rikthye me emrin Bad News Eagles në shkurt të vitit 2025. Megjithatë, disa muaj më vonë, formacioni u shpërbë sërish.

Tani, paralajmërimi i fundit ka rikthyer vëmendjen te “Shqiponjat”, por ende nuk dihet se kush do të jetë pjesë e formacionit të ri dhe si do të duket projekti i tyre i ardhshëm. Mbetet të shihet nëse BNE do të rikthehet me lojtarët që e bënë emrin të njohur apo me një përbërje të re.

Related Articles