Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, ka qëndruar për vizitë në Hagë, ku është takuar me disa prej ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në paraburgim.
Përmes një postimi, Gucati ka bërë të ditur se së bashku me Elbasan Shalën kanë zhvilluar një vizitë dyditore, gjatë së cilës kanë takuar Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Salih Mustafën.
Ai ka ndarë edhe përshtypjet nga këto takime, duke thënë se ish-krerët e UÇK-së janë në gjendje të mirë shpirtërore dhe falënderues për mbështetjen që po marrin nga shqiptarët.
“Këta burra dhe kolosë të Kosovës janë të fortë si çdo herë, falënderues dhe mirënjohës ndaj gjithë shqiptarëve për përkrahjen e mbështetjen e deritanishme. Ata ju bëjnë të fala dhe ju përshëndesin të gjithë shqiptarëve kudo që janë”, ka shkruar Gucati.
Ai ka paralajmëruar gjithashtu se vizitat do të vazhdojnë, duke bërë të ditur se më 30 nëntor pritet të takohet edhe me ish-komandantin e UÇK-së, Rexhep Selimin.
“Ndërsa, më 30 nëntor, do të takohemi edhe me ‘10-shin’ e UÇK-së, Rexhep Selimin!”, ka përfunduar Gucati në postimin e tij.
