Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj ish-ministrit të Kulturës, Astrit Haraqija dhe pesë të arrestuarve tjerë në aksionin kundër trafikimit të kokainës, Jeton Stanovci, Gëzim Feka, Arjanit Beqiri, Albana Xhemajli-Ramadani dhe Alban Maloku.
Të lartpërmendurit janë arrestuar në aksionin e fundit të Policisë së Kosovës, të koduar si “heshtja”.
Sipas kërkesës së Prokurorisë për caktimin e paraburgimit, të pandehurit Jeton, Gëzim, Arjanit, Baftije, Albana, Astrit, Mergim, Albert dhe Alban, dyshohen se më parë e në vazhdimësi deri më 14 nëntor 2026, në zona të ndryshme të territorit të Prishtinës, si anëtarë të grupit, në bashkëpunim edhe me persona tjerë ende të paidentifikuar, duke i ndarë rolet mes vete, me dashje e me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, pa autorizim në kundërshtim me Ligjin për Barnat Narkotik, posedojnë, dorëzojnë, shesin dhe shpërndajnë substancë narkotike të llojit kokainë.
E në mesin e të arrestuarve në kët rast janë edhe dy gra, njëra prej tyre Albana Xhemajli-Ramadani, apo e njohur tanimë në publik si motra e ish-kandidates për dpeuete nga radhët e PDK-së, Arbiana Xhemajli.
Por çfarë roli kishte e njëjta sipas dosjes së Prokurorisë?
Albana thuhet se duke qenë edhe bashkëjetuese me të pandehurin Jeton, kishte rol të mbledhjes së parave të shitjes nga Gëzimi, Arijaniti dhe Alberti, ku kryesisht çdo të diele bënin barazimin e pagesave për sasitë e shitura dhe shpërndara, si dhe furnizoheshin me sasi të rregullta për shpërndarje të mëtutjeshme javore.
Me këto, thuhet se si anëtarë të grupit dyshohen se kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267, par.2 dhe neni 275, par.1, pika 1.1., 1.6., dhe 1.,9 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal.
Jeton Statovci ndryshe njihej si kryesuesi i këtij grupi, e që në publik i referoheshin si “Daja”. Sipas kërkesës, i pandehuri Jeton si kryesues i grupit, pasi që furnizohej me narkotikë nga të pandehurit, Mërgim (i cili ndodhet në arrati), Astrit dhe Alban, ku narkotikun fillimisht e ndanin me sasi të vogla e më pas ato sasi i pranonte Gëzim Feka, më pas sasinë e narkotikut të llojit kokainë Feka e mban një sasi vetë dhe një sasi ua jep dy anëtarëve tjerë Arjanit Beqirit dhe Albert Krasniqit, të cilët më pas substancën e tillë të ndarë në sasi të vogla e shpërndajnë tek personat tjerë, duke e shitur në doza të vogla, përmes veturave të marra me qira.
Me këto, thuhet se si anëtarë të grupit dyshohen se kanë kryer veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267, par.2 dhe neni 275, par.1, pika 1.1., 1.6., dhe 1.,9 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal.
Prokuroria thekson se më 14 nëntor 2026, filloi zbatimin e kontrolleve dhe si rezultat i provave të grumbulluara, ka rezultuar me dyshimin e bazuar për përfshirjen edhe të të pandehurve Astrit Haraqija dhe Alban Maloku, për të cilët më 15 nëntor 2026 u lëshua aktvendim për zgjerimin e hetimeve.
Prokuroria vlerëson se janë përmbushur kushtet për caktimin e paraburgimit, duke përfshirë: ekzistimin e dyshimit të bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen, rrezikun e arratisjes, rrezikun e asgjësimit/ndryshimit të provave dhe ndikimit në dëshmitarë dhe rrezikun e përsëritjes së veprës penale.
Në kërkesë thuhet se nga zbatimi i masave të veçanta, shihet se i pandehuri Jeton Stanovci del nga objekti banesor, në të cilin banon edhe Astrit Haraqija e në cilin Jetoni, Mergimi dhe Astriti takoheshin duke përgatitur substancën narkotike të cilën thuhet se sillet Mergimi, dhe aty e ndanin në sasi të vogla, më pas të njëjtën ia jepnin Gëzim Fekës për shitje dhe shpërndarje.
Sipas kërkesës, në banesën e të pandehurit Haraqija krahas armës, u sekuestruan edhe para dhe dy iPhone. Po ashtu, në dokument renditen edhe gjësendet që u gjetën dhe sekuestruan në banesat e të dyshuarve tjerë, përfshirë para, telefona, vetura, etj.
Në kërkesën e parashtruar nga prokurori Arben Hoti, thuhet se masat e tjera alternative në këtë rast vlerësohen si të pamjaftueshme për sigurimin e të pandehurve në procedurë penale.
E lartcekura Albana Xhemajli-Ramadani është paraqitur sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë./Lajmi.net/
