The Guardian: Kryeministri britanik pritet të deklarojë se Brexit-i “s’ka funksionuar” e se do të nënshkruajë marrëveshje të re me BE-në

The Guardian: Kryeministri britanik pritet të deklarojë se Brexit-i “s’ka funksionuar” e se do të nënshkruajë marrëveshje të re me BE-në

Kryeministri britanik do të takohet këtë javë me liderët europianë në një samit, me synimin për të siguruar marrëveshje që “mund ta rrisin PBB-në me 0.4 për qind”

Andy Burnham do të thotë të hënën se Brexit-i “nuk ka funksionuar” dhe se do të nënshkruajë një marrëveshje të re me BE-në, raporton The Guardian.

Ky është komenti i fundit në një varg deklaratash të kryeministrit që kritikojnë Brexit-in, pasi të shtunën, në konferencën e Laburistëve të Uellsit, ai tha se Mbretëria e Bashkuar “ka humbur më shumë sesa ka fituar” nga largimi prej BE-së.

Burnham pritet të takohet këtë javë me liderët europianë në një samit dhe të sigurojë marrëveshje që, sipas tij, mund ta rrisin PBB-në me 0.4 për qind – rreth 17 miliardë paundë – përfshirë marrëveshje për ushqimin dhe bujqësinë, tregtimin e emetimeve dhe një skemë të mobilitetit për të rinjtë.

Duke folur në banketin e kryetarit të Londrë, Burnham pritet të argumentojë se premtimi i Boris Johnsonit për ta rimarrë kontrollin nuk u përmbush dhe se vendi përfundoi me një Brexit të panevojshëm dhe të ashpër, i cili krijoi pengesa për bizneset dhe dëmtoi potencialin e tij ekonomik.

“Është si përralla ‘Rrobat e reja të perandorit’, ku askush nuk është i gatshëm ta thotë të vërtetën e dukshme. Epo, unë e them atë që shoh. Dhe, të jem i sinqertë, perandori nuk ka asgjë veshur”, do të thotë Burnham. “Brexit-i që na u dha nuk ka funksionuar. Kemi humbur më shumë sesa kemi fituar”.

Burnham do të thotë se do të nënshkruajë një marrëveshje me BE-në, për aq kohë sa ajo:

  • Është në përputhje me manifestin e Partisë Laburiste dhe vijat e kuqe të qeverisë.
  • Përmirëson marrëveshjen për Brexit-in dhe e afron atë me atë që njerëzit mendonin se po votonin në vitin 2016.
  • Dhe e kalon të ashtuquajturin “testin e Makerfieldit”, duke sjellë përmirësime reale dhe konkrete në jetën e përditshme të njerëzve.

“Kjo është një situatë ku të gjithë fitojnë”, pritet të thotë Burnham. “Kjo e ilustron qasjen tonë të re. Jo konfrontuese. Nuk po i djegim më urat, por po veprojmë në mënyrë konstruktive dhe pozitive, duke treguar se mund të bashkohemi për t’u përballur me sfidat e përbashkëta”.

Megjithatë, ministri për marrëdhëniet me BE-në, Hamish Falconer, i tha të dielën BBC-së se Mbretëria e Bashkuar mund të ketë një “zë në tryezë” sipas një marrëveshjeje të re me bllokun, por nuk do të ketë të drejtë vote për politikat ushqimore të BE-së.

Ai shtoi se mund të ketë një “klauzolë daljeje” në rast se një qeveri e ardhshme britanike e përmbys përafrimin më të ngushtë, duke shpjeguar se BE-ja është “e shqetësuar” për mundësinë që një qeveri e ardhshme e Reform UK ose e Partisë Konservatore ta zhbëjë marrëveshjen.

Related Articles