Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar një muaj paraburgim ndaj Rrahman Hotit, i dyshuar për vrasjen e Sylë Dakajt në Suharekë.
Vendimi është marrë nga Departamenti i Krimeve të Rënda, pas aprovimit të kërkesës së Prokurorisë së Shtetit.
Sipas njoftimit të Gjykatës, Hoti dyshohet për veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Ad Banner
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur më 18 nëntor 2026, rreth orës 12:03, në parkingun e një qendre tregtare në Suharekë, pas një mosmarrëveshjeje lidhur me parkimin e automjeteve.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, i dyshuari dyshohet se ka shtënë disa herë me armë zjarri në drejtim të Sylë Dakajt, fillimisht përmes xhamit të automjetit dhe më pas duke vazhduar të qëllojë edhe pasi kishte hapur dyert e tij.
Nga të shtënat, sipas Gjykatës, ishte rrezikuar edhe jeta e bashkëshortes së viktimës dhe vajzës së tyre të mitur, të cilat ndodheshin në vendin e ngjarjes./
