“Në asnjë moment”, EULEX-i mohon se ua drejtoi armët familjarëve të Jakup Krasniqit

“Në asnjë moment”, EULEX-i mohon se ua drejtoi armët familjarëve të Jakup Krasniqit

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka reaguar pas raportimeve të disa mediave se një pjesëtar i Policisë së EULEX-it dyshohet se ia ka drejtuar armën një familjari të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, gjatë vizitës së tij në paraburgim.

Përmes një komunikate, EULEX-i i ka cilësuar këto raportime si të pabazuara, duke i mohuar kategorikisht pretendimet për trajtim të papërshtatshëm të armëve të zjarrit nga zyrtarët e tij, gjatë ofrimit të mbështetjes logjistike dhe operative për Dhomat e Specializuara të Kosovës në rastin e Krasniqit.

Misioni ka sqaruar se bëhet fjalë për një vizitë në paraburgim, e cila ishte realizuar për arsye të domosdoshme humanitare.

“EULEX-i thekson fuqishëm se zyrtarët policorë të misionit nuk kanë drejtuar asnjë armë ndaj askujt, në asnjë moment”, thuhet në reagim.

Tutje, EULEX-i ka theksuar se armët e zjarrit që përdoren nga personeli i tij trajtohen në përputhje të rreptë me standardet ndërkombëtare dhe evropiane.

Reagimi i misionit vjen pas raportimeve mediatike se një pjesëtar i EULEX-it ia kishte drejtuar armën një familjari të Jakup Krasniqit gjatë vizitës së këtij të fundit në shtëpinë e tij.

Related Articles