Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka parashikuar mot të ndryshueshëm në Kosovë gjatë pesë ditëve të ardhshme, nga 23 deri më 27 nëntor.
Sipas parashikimit, java do të karakterizohet me vranësira, reshje të herëpashershme shiu dhe mundësi për reshje bore në viset malore.
Temperaturat pritet të shënojnë rënie të theksuar në mesjavë, kur të mërkurën ato minimale do të zbresin deri në -8 gradë Celsius, ndërsa maksimalet do të lëvizin nga 2 deri në 6 gradë. Të martën dhe të mërkurën në mëngjes parashihen edhe ngrica dhe mjegull në disa zona të vendit.
Sipas IHMK-së, nga e enjtja temperaturat do të shënojnë rritje graduale, me minimale nga 0 deri në 5 gradë dhe maksimale nga 5 deri në 9 gradë Celsius, por moti do të mbetet kryesisht i vranët, me kushte për reshje shiu.
Instituti ka paralajmëruar se temperaturat e ulëta dhe ngricat mund të ndikojnë në kulturat bujqësore të ndjeshme, ndërsa mjegulla dhe ndryshimet e kushteve atmosferike mund të shkaktojnë shqetësime te personat meteorosensitivë dhe ata me sëmundje kronike të sistemit kardiovaskular dhe respirator.
