Katër pjesëtarë të Policisë së Kosovës, me detyrë në Stacionin Policor Mitrovicë Veri, suspendohen me vendim të drejtorit të policisë, mbi bazën e dyshimit të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, thuhet në komunikatë e Policisë së Kosovës, transmeton Gazeta “Enigma”.
Sipas Policisë së Kosovës, suspendimi i zyrtarëve policorë vije si rezultat i pamjeve të publikuara në disa portale dhe rrjetet sociale, të cilat tregojnë pamjet se si zyrtarë policorë në uniformë, gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, kalojnë kohën në një lokal/sport-klub.
“Vendimi mbi suspendimin e tyre të përkohshëm deri në 72 orë, është lëshuar sot, nga Drejtoria Rajonale e Policisë-Mitrovicë Veri, mbi bazën e dyshimit, se të njëjtit, në kohën e detyrës zyrtare, në uniformë zyrtare, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, me ç ‘rast kanë kryer shkelje të rëndë disiplinore të paraparë në bazë të Udhëzimit Administrativ mbi “Shkeljet, masat dhe procedura disiplinore në Policinë e Kosovës”, thuhet më tutje në njoftimin e Policisë.
Veç suspendimit të përkohshëm, Stacioni Policor Mitrovicë Veri, ka inicuar procedurën për hetim të shkeljeve të supozuara ndërsa procedurat tjera të hetimeve të brendshme disiplinore do të udhëhiqen nga hetuesit policorë të Drejtorisë së Standardeve Profesionale.
Vet-disiplina dhe disiplina organizative, janë elementet bazë mbi të cilën ndërtohen vlerat e Policisë së Kosovës, në shërbim të qytetarëve dhe zbatimit të ligjit, prandaj veprimet e tilla, shkeljet e tilla disiplinore nuk do të tolerohen dhe si të tilla do të jenë të ndëshkueshme, thuhet në komunikatë. /Gazeta “Enigma”/