Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Rrezarta Krasniqi, ka kritikuar Qeverinë Kurti, duke thënë se pushteti i ri do të mbahet mend si Qeveria më e dobët në historinë e vendit tonë.
Ajo në një intervistë ka deklaruar se gjatë 100-ditëshit të parë të ekzekutivit, qytetarët nuk kanë parë asnjë vendim të mirë që do të krenoheshin nga udhëheqja e kryeministrit, Albin Kurti.
Deputetja nga Vushtrria tha se me fjalët dëshpërim dhe zhgënjim mund të përshkruhet puna dhe angazhimi i Qeverisë Kurti 2 deri më tani.
“Kjo qeveri ka dështuar që në fillim të ofroj diçka të mirë për qytetarët, zhgënjimi i të cilëve është çdo ditë e më i madh nga mospuna e tyre dhe niveli i lartë i papërgjegjësisë që kanë treguar deri më tani”.
Sa i përket të bërit opozitë, deputetja e LDK-së thotë se kryeministrit Kurti i ka humbur rruga në oborr, pasi sipas saj, ai nuk u tregua i aftë për asnjë moment për ta drejtuar vendin.
Ajo shtoi se Opozita është më konstruktive dhe më përmbajtësore në raport me punën e Qeverisë.
“Kryeministrit Kurti i ka humur rruga në oborr, ai nuk u tregua i aftë për asnjë moment për ta drejtuar vendin, në vazhdimësi është marrë me demagogji, siç ka vepruar në opozitë dhe mendon se duhet të veprohet njësoj edhe gjatë drejtimit të pushtetit, duke harruar faktin se është aty për të vepruar dhe punuar e jo të humb kohë duke analizuar rolin e opozitës, sepse për dallim prej tij që sa ishte në opozitë nuk kursente asgjë për të realizuar synimet e atëhershme. Opozita tani është më konstruktive dhe përmbajtësore në raport me punën e Qeverisë”, deklaroi Krasniqi, për “Reporteri.net”.
Lidhur me gjendjen e COVID-19 në Kosovë, Krasniqi thotë se ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, është duke e menaxhuar pandeminë në mënyrën më të keqe të mundshme, teksa është shprehur se nëse krahasohet angazhimi i tij me atë të ish-ministrit Zemaj, atëherë dallimi është si nata me ditën, duke shtuar, se në Qeverinë Hoti situate me koronavirusin ka qenë nën kontroll.
“E thash edhe më lartë, po e ritheksoj sërish, ministri Vitia është duke e menaxhuar pandeminë në formën me të keqe të mundshme, për çka qytetarët e këtij vendi më së shumti po i bartin pasojat shëndetësore. Ditëve të fundit shohim rritje masive të rasteve të infektimit në mesin e tyre edhe viktima, pra kjo situatë është treguesi i qartë i menaxhimit të dobët të pandemisë nga Qeveria Kurti, derisa nëse e krahasojmë atë me angazhimin e ish-ministrit Zemaj, dallimi është si nata me ditën. Është nonsense kjo çfarë është duke bërë ky ministër (Vitia), që ka humbur fokusin me shëndetësinë, duke lakmuar pushtetin me Prishtinën”, pohoi Krasniqi.