Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku është pritur sot në Shkup nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Kryetari Abdixhiku, i shoqëruar nga nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, kanë vizituar sot Kryeministrin e Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev. Në ketë takim, është diskutuar perspektiva e dy vendeve fqinje, zhvillimet e fundit politike në rajon, si dhe bashkëpunimet partiake në mes të përfaqësuesve politik të Kosovës e Maqedonisë Veriore në vazhdimësi.
Kryetari Abdixhiku dhe Kryeministri Zaev theksuan se dy vendet, si dy shtete të afërta, duhet të ruajnë e kultivojnë partneritetin dhe bashkëpunimin ndërshtetëror.
Në takim kryetari i LDK-së, Abdixhiku ritheksoi se çdo bashkëpunim ekonomik rajonal nuk mund të jetë i plotë pa përfshirjen e gjithë shteteve të Balkanit Perëndimor edhe më pak pa përfshirjen e Bashkimit Evropian.
“Mbi të gjitha, bashkëpunim ekonomik duhet të paraprihet nga pranimi i realitetit politik, si parakusht i një rajoni prosperues”, ka thënë ai.
Palët u dakorduan të vazhdojnë takimet e komunikimet e hapura e të drejta.
Ky takim është vazhdim i një sërë takimesh, ku ditë më parë kryetari Abdixhiku bashkë me nënkryetarin Lutfi Haziri është takuar edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama ku ka shtruar çështjen e bashkëpunimit ndërshtetëror.
Në ditët në vijim kryetari Abdixhiku do të takohet edhe me liderët tjerë të shteteve fqinje për të diskutuar për partneritetin dhe perspektivën evropiane.