Përkundër polemikave e protestave, Goran Bregoviç pritet të përformojë në Korçë

Përkundër polemikave e protestave, Goran Bregoviç pritet të përformojë në Korçë

As polemikat e krijuara në Kosovë, e as protestat e organizuara në Shqipëri, nuk pritet ta ndalojnë përformancën e këngëtari serb, Goran Bregoviç, më 22 gusht, në Korçë. Ndonëse ende nuk ka pasur njoftim zyrtar se Bashkia e Korçës e ka tërhequr ftesën ndaj Bregovic, “Festa e Birrës” në Korçë, po vazhdon shkruan Gazeta “Enigma”.

I kontaktuar për këtë çështje, Kryetari i Këshillit Koordinues të Asociacioneve të Familjarëve të të Zhdukurve të Kosovës, Ahmet Grajçevci, ka deklaruar për Gazetën “Enigma” , që përkundër thirrjeve drejtuar Bashkisë së Korçës, që ta anulojnë pjesëmarrjen e këngëtarit serb Goran Bregoviç në festivalin e organizuar, ata nuk kanë marrë përgjigje nga kjo e fundit.

“Ne nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga Bashkia e Korçës, ajo do të mbetet në ndërgjegjen e tyre. Ne kemi reaguar pasi që ka qenë e rrugës një reagim i tillë duke pas parasysh që ende i kërkojmë trupat e familjarëve tanë të zhdukur”, ka thënë ai.

Grajçevci ka theksuar se “Shqipëria deri në momentin e fundit duhet t’i merr parasysh reagimet e kosovarëve, ose në të kundërtën do t’i bëj dëm vetvetes sepse shqiptarët nga Kosova, 100 për qind vitin tjetër nuk do t’ia shkelin derën Shqipërisë”.

Në letrën e drejtuar Bashkisë së Korçës, Grajçevci kishte theksuar se nëse Bashkia e Korçës nuk mund të bashkohet në kauzën për të ditur të vërtetën për fatin dhe vendndodhjen e 1 mijë e 632 të zhdukurve, të paktën siç tha ai duhet të respektoj dhimbjen e familjarëve.

“Mos na lëndoni më shumë duke lejuar pjesëmarrjen e Goran Bregoviçit ose të ndonjë artisti tjetër serb, që për këto 22 vite bënë përpjekje të vazhdueshme të mohojnë krimet gjenocidiale” është shkruar mes tjerash në letrën e kryetarit të KKAFZhK-së, Ahmet Grajçevci, i cili përfaqëson mbi 20 shoqata të familjeve të zhdukurve në Kosovë.

Ndërkaq, Fjoralba Krasniqi, vajza e veteranit të lutës së UÇK-se, tashmë të ndjerë, Zymer Krasniqi, ka thëne për Gazetën “Enigma”, se ndjehet e zhgënjyer nga kjo ngjarje.

“Mendoj qe është gjesti më i ulët nga Bashkia e Korçës, duke marrë  parasysh që Shqipëria është Shqipëria NANË, ata e dinë se çka kemi perjetuar ne prej popullit serb. Përveç dashurisë së madhe që e kam për Shqipërinë, ky gjest len me kuptu që një pjesë e tyne më parë e afrojnë Serbinë edhe njerëzit e atij vendi, duke e ditë se çka na kanë bërë, se sa neve” është shprehur ajo.

Tutje ajo ka shtuar se “Po na detyrojnë me mendu që ma shumë e duan armikun se sa të vetin”.

Reagimet e artistëve kosovar pas thirrjes së Korçës

Këngëtarja kosovare, Dafina Zeqiri ishte ftuar për të kënduar në festivalin e ashtuquajtur “Festa e Birrës” në Korçë.

Por me të mësuar se pjesë e këtij organizimi do të jetë edhe artisti boshnjak me identitet serb, Goran Bregoviç, ajo e ka tërhequr pjesëmarrjen.

Të njëjtin veprim e bëri edhe Capital T, reperi nga Kosova, i cili ishte i ftuar për të bërë hapjen e festivalit në natën e parë.

Ndërsa, tenori kosovar Ramë Lahaj i është drejtuar me një kërkesë kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, lidhur me ftesën që këngëtari Goran Bregoviç ka marrë për të përformuar në “Festën e Birrës” në Korçë.

Lahaj ka kërkuar që Rama ta anulojë pjesëmarrjen e Bregoviçit.

“Z. Edi Rama po të drejtohem në emnin e të gjithë kosovareve, anulo Goran Bregoviqin! Ai dhe kangët e tij që ishin himni i çetnikëve serb për të prerë fëmijët, nanat, motrat, vëllezërit e baballarët tanë nuk mund t’ jene në Shqipni për të festuar në festen e birrës. Zgjidh ke të duash nga artistet me mua në krye, ani pse nuk këndoj në festa birrash, por po të vij unë dhe gjithë koleget pa asnjë lloj detyrimi, me festu së bashku me muzikën tone të bukur shqipe. Po jo me atë që neve na i prenë fëmijët në djep”, ka shkruar Lahaj.

Vetëvendosje në Shqipëri proteston kundër Bregoviçit

Edhe Lëvizja Vetëvendosje, Qendra në Shqipëri ka realizuar të enjten një aksion simbolik kundër pjesëmarrjes së muzikantit serb, Goran Bregoviç, në Festivalin e Birrës në Korçë.

Në njoftimin e kësaj partie thuhet se aksioni u organizua në solidaritet me 20 shoqatat e familjeve të personave të zhdukur gjatë gjenocidit që Serbia kreu në Kosovë.

“Kemi organizuar sot një aksion simbolik ndërgjegjësues në qendër të qytetit të Korçës, duke vendosën një banderolë të gjatë me fjalët “Bregoviç dajre gjenocidi”, në Bulevardin “Republika”. Aksioni u zhvillua gjithashtu në mbështetje të bojkotit që shumë artistë shqiptarë nga të gjitha trevat i kanë bërë kësaj feste, pasi Bashkia e Korçës ka refuzuar të anulojë ftesën për Bregoviçin”, thuhet në njoftim, shkruan tutje Gazeta “Enigma”.

Pas reagimeve të para nga shumë personalitete nga Kosova e Shqipëria, Bashkia e Korçës kishin thënë se refuzojnë të përfshihen në debatin e fundit rreth performancës që pritet ta ketë në këtë qytet, këngëtari serb, Goran Bregoviç me rastin e Festës së Birrës.

“As festa dhe as ftesa për Bregoviç si një nga këngëtarët në një nga 10 koncertet e kësaj feste nuk ka asnjë arsye apo nxitje politike. Ne besojmë se muzika është urë për të lidhur popujt dhe Festa e Birrës dhe Bashkia Korçë promovon vlerat më të mira të respektimit të diversitetit etnik e kulturor mes popujve të Ballkanit e më gjerë”, thuhej në përgjigjen e bashkisë.

Ndërsa pak ditë më parë Bashkia e Korçës ka reaguar sërish lidhur me debatin mbi pjesëmarrjen e Bregoviçit, se përpjekjet e këtyre ditëve për të dëmtuar imazhin e Korçës janë pjesë e një skenari dhe kjo gjë sipas tyre nxit përçarje e konflikt.

Ndërkohë, “Festa e Birrës” në Korcë ka filluar me 18 gusht, kurse këngëtari Goran Bregoviç ka konfirmuar zyrtarisht pjesëmarrjen në Festivalin e Birrës në Korçë më 22 gusht.

Related Articles