Një zyrtar policor është mbytur paraditen e sotme në plazhin e Velipojës në Shqipëri.
59-vjeçari Hasan Hysenaj nga fashti Petrovë i Komunës së Shtimes, sipas policisë shqiptare është mbytur rreth orës 11:15 të ditës së sotme në plazhin e Velipojës.
Përmes një telegrami ngushëllimi, Komuna e Shtimes ka ngushëlluar familjen e zyrtarit policor.
“Me keqardhje morëm lajmin për ndarjen nga jeta të zyrtarit policor, Hasan Hysenaj nga fshati Petrovë.
Me këtë rast shprehim ngushëllimet të sinqerta familjarëve, të afërmve, kolegëve të punës dhe miqve të tij!
Do ta kujtojmë përherë Hasan Hysenajn, jetën dhe veprën e tij në shërbim të qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës, përkushtimi i pashoq dhe profesionalizmi i lartë, ishin virtyt i tij, andaj, kujtimi për të do të jetë i përjetshëm!”, thuhet në telegramin e lëshuar nga Komuna e Shtimes.
Ndërkohë që 10 minuta pas kësaj tragjedie, dy persona tjerë janë mbytur në plazhin e Spillesë.
Policia shqiptare njofton se bëhet fjalë për dy të moshuar që kishin ardhur për pushime nga Maqedonia e Veriut.