Sindikatat e Shëndetësisë për vendimin e Qeverisë për shtesat: Vendim skandaloz dhe ofendues

Sindikatat e Shëndetësisë për vendimin e Qeverisë për shtesat: Vendim skandaloz dhe ofendues

Ndarjen e shtesave prej 10 për qind të pagës bruto e jo më shumë se 60 euro për punëtorët shëndetësorë për muajt gusht, shtator dhe tetor nga ana e Qeverisë së Kosovës, Federata e Sindikatave të Shëndetësisë e ka konsideruar vendim skandaloz dhe ofendues, raporton Gazeta “Enigma”.

Të mërkurën, Qeveria ndau 2.7 milionë euro për shtesat në pagë për tre muaj për stafin shëndetësor.

FSSHK-ja në një reagim për media ka thënë se është e indinjuar dhe zhgënjyer sepse punëtorët shëndetësorë “kanë punuar dhe ofruar shërbime shëndetësor edhe gjatë muajve Qershor dhe Korrik 2021 e me këtë rast është shkelur Ligji nr.07/L-006 për parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës respektivisht neni 20 në të cilin parashihet shtesa në pagë për të punësuarit në sektorin e shëndetësisë gjatë Pandemisë COVID-19”.

FSSHK-ja ka thënë se me këtë vendim Qeveria “në sy të popullit po mundohet të tregohet populliste dhe mbështetëse kinse e punëtorëve shëndetësor, por në fakt ky është vetëm një degradim i radhës”,

Teksa e quan skandaloz e dekurajues vendimin, FSSHK-ja ka kërcënuar se “me këtë qasje të Qeverisë së Kosovës kundrejt punëtorëve shëndetësorë nuk do të ketë paqe sociale dhe për të gjitha dëmet e shkaktuara përgjegjëse do të jetë Qeveria e Republikës së Kosovës”.

Ky organizim ka paralajmëruar edhe reagime sindikale, por “duke mos cenuar dhënien e shërbimeve shëndetësore për popullatën e gjerë”.

Related Articles