Kancelarja gjermane, Angela Merke, i ka deklaruar të enjten se ata që nuk kanë arritur ende të evakuohen nga Kabuli, nuk do të harrohen, duke shtuar se Ministria e Jashtme gjermane është ende duke negociuar me talebanët.
“Ne e dimë se dritarja e mundësisë është duke u mbyllur. Dhjetëra mijëra njerëz tashmë janë shpëtuar por dua të them sot sërish: nuk do t’i harrojmë ata njerëz që nuk arritën të shpëtoheshin nga ura ajrore. Ne do të bëjmë çdo gjë për të mundësuar evakuimin e tyre”, ka thënë Merkel.
Ajo ka shtuar se janë duke negociuar me talebanët lidhur me këtë.
“Jemi në negociata me talebanët, të cilat po i udhëheq Ministria e Jashtme, posaçërisht ambasadori Markus Potzel, kështu që do të ketë një koordinim ndërkombëtar se si të vazhdohet me këtë proces”, ka shtuar Merkel.
Gjatë një konference për media në Berlin, Merkeli ka adresuar situatën në Kabul, pas shpërthimeve në aeroportin “Hamid Karazi”.
“Ka pasur paralajmërime se kjo mund të ndodhë dhe tani kjo që po ndodhë është një lajm i tmerrshëm”, është shprehur kancelarja gjermane.
Të paktën 60 persona kanë vdekur e qindra të tjerë raportohet të jenë lënduar si pasojë e dy sulmeve që kanë ndodhur me bombë jashtë aeroportit të Kabulit.
Në mesin e të vrarëve raportohet se janë edhe të paktën 12 pjesëtarë të shërbimit amerikan.