Qeveritë e vendeve të Bashkimit Evropian duhet të ecin përpara me një forcë evropiane të reagimit të shpejtë për t’u përgatitur më mirë për krizat e ardhshme sikur ajo në Afganistan, tha shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.
Në një intervistë të botuar të hënën, Borrell i tha gazetës italiane “Il Corriere della Sera” se dislokimi i trupave amerikane në Afganistan me përkeqësim të sigurisë tregoi se BE-ja kishte nevojë të përshpejtonte përpjekjet për ta ndërtuar një politikë të përbashkët mbrojtëse, transmeton Gazeta Express.
“Ne duhet të nxjerrim mësime nga kjo përvojë… si evropianë ne nuk kemi qenë në gjendje t’i dërgojmë 6,000 ushtarë rreth aeroportit të Kabulit për ta siguruar zonën. SHBA-ja ka qenë, ne nuk e kemi bërë”, tha ai.
Borrell tha se 27 anëtarët e BE-së duhet të kenë një “forcë fillestare hyrëse” prej 5,000 ushtarësh. “Ne duhet të jemi në gjendje të veprojmë shpejt.”
Në maj, 14 vende të BE-së përfshirë Gjermaninë dhe Francën propozuan një forcë të tillë, ndoshta me anije dhe avionë, për të ndihmuar qeveritë e huaja demokratike që kanë nevojë për ndihmë urgjente.
I diskutuar për herë të parë në vitin 1999 në lidhje me luftën në Kosovë, një sistem i përbashkët i grupeve të betejës me personel prej 1.500 trupash nga secili vend u krijua në vitin 2007 për t’iu përgjigjur krizave, por nuk janë përdorur sepse qeveritë e BE -së nuk ishin dakord se si dhe kur t’i vendosnin ato.
Borrell tha se ishte koha për të qenë fleksibël, duke përmendur marrëveshjet e bëra shpejt për ta përballuar krizën financiare si një shembull se si BE -ja mund t’i kapërcejë kufizimet në vendosjen e operacioneve ushtarake të përcaktuara në traktatet e saj kushtetuese.
“Ne mund të punojmë në shumë mënyra të ndryshme”, tha ai.