Në Gjykatën Themelore në Prishtinë po vazhdon dëgjimi i dëshmitarëve në rastin e vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq.
Të akuzuarit në këtë rast janë Marko Roshiq, Nedelkjo Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq, Silvana Arsoviq dhe Rade Basara.
Para trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtari, Valon Kurtaj në seancën e sotme do dëgjohen tre dëshmitarë por që dëshmia e tyre nuk u lejua të xhirohet me kamerë me qëllim që të mos dëmtohet procesi gjyqësor.
Në këtë seancë nuk ishte e pranishme e dëmtuara, gruaja e Oliver Ivanoviq, Maria, por si palë e dëmtuara u paraqit edhe djali i politikanit serb, Nikolla Ivanoviq, i cili kërkoi drejtësi për babain e tij.
Ai tha pas dy vjetëve e gjysmë meritojnë drejtësi dhe se fajtorët duhet të dënohen.Përderisa seanca ka vazhduar me dyer të mbyllura me dëgjimin e tre dëshmitarëve.
Në seancën e fundit të mbajtur më 6 korrik të këtij viti, pasi aktakuza është konsideruar e lexuar, gjashtë të akuzuarit nuk pranuan fajësinë për akuzat lidhur me vrasjen. Mirëpo, Zharko Jovanoviq ka pranuar fajësinë vetëm për armëmbajtje pa leje.
PSRK fillimisht kishte ngritur aktakuzë më 27 dhjetor 2019 kundër Nedeljko Spasojeviq, Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq dhe Rade Basara për veprat penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ndihmë në kryerjen e veprës penale Vrasje e rëndë”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”, “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, “Keqpërdorim i detyrës zyrtare në bashkëkryerje” dhe “Manipulim me prova, në bashkëkryerje”.
Seanca fillestare ishte mbajtur me 11 shkurt 2020, kurse Gjykata Themelore në Prishtinë, më 6 prill 2020, kishte refuzuar kërkesat për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimet e provave.
Pas ankesave të katër avokatëve, Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesat e mbrojtësve dhe çështja ishte kthyer në rivendosje