Dhomat e Specializuara kanë njoftuar të hënën se Trupi Gjykues i ka nxjerr udhëzimet fillestare lidhur me kryerjen e procedurave në gjykimin e Salih Mustafës, raporton Gazeta “Enigma”.
Sipas udhëzimeve do të mbahen 13 seancat gjatë muajve shtator dhe tetor me datat si vijin: 20-24 shtator, 27-28 shtator, 4-6 tetor dhe 12-14 tetor. Paraprakisht do të jenë edhe dy seanca më 15 dhe 16 shtator.
Vendimi më tej thekson se Zyra e Prokurorit të Specializuar do të ketë 87 orë për të paraqitur provat e saj. ZPS-ja do të thërrasë 16 dëshmitarë, 15 prej të cilëve do të dëshmojnë drejtpërdrejt.
“Për marrjen në pyetje të secilit dëshmitar të ZPS-së, Mbrojtjes dhe përfaqësuesit të viktimave do t’u caktohet përkatësisht 50 për qind dhe 25 për qind e kohës faktike të përdorur nga ZPS-ja për marrjen në pyetje të secilit dëshmitar. Vendimin dhe më shumë detaje mund t’i gjeni këtu”, thuhet nga Dhomat e Specializuara.
Salih Mustafa është arrestuar më 24 shtator të vitit të kaluar, ndërsa akuzohet për krime lufte.