Sinan Rizvanolli: Situata epidemiologjike në vend është shumë e rëndë dhe serioze

Sinan Rizvanolli: Situata epidemiologjike në vend është shumë e rëndë dhe serioze

Epidemiologu, Sinan Rizvanolli ka thënë që situata epidemiologjike në vend është shumë e rëndë dhe serioze dhe me një “prognozë jo të mirë”.


Rizvanolli në një intervistë në Info Magazine në Klan Kosova, ka thënë që shpreson që me masat që janë ndërmarrë do të zbutet situata epidemiologjike.

“Nuk duhet të mashtrohemi që kanë me bo mrekulli këto masa,  por këto do ta zbusin në njëafarë forme situatën epidemiologjike. Ne duhet të përgatitemi në staza të gjata që t’i zbatojmë këto masa e jo vetëm me hove siç kemi bërë deri tash. Duhet me qenë të përgatitur që kjo situatë ka me zgjatë. Marifeti  i kësaj pune është që të zbutet situata epidemiologjike dhe të zvogëlohet numri i të vdekurve”.

Tutje Rizvanolli ka thënë që dy qeveritë (edhe ajo e mëparshmja) kanë bërë gabime në trajtimin e pandemisë.

“Këto masa duhet të jenë afatgjate (me dy javë nuk mund të bëhet asgjë) dhe duhet të jenë konsistente dhe me ju përmbajt në përpikëri. Deri tash janë bërë disa gabime, jo vetëm nga kjo qeveri por edhe në qeveritë e mëparshme kanë bërë gabime në trajtimin e epidemisë”.

“Qeveria Kurti –  kjo e tanishmja e bëri gabimin që mendoi që situata u zbut dhe se gati përfundoi epidemia dhe i ndërpreu masat e marra në fillim. Kështu u keqësua gjendja epidemiologjike dhe kjo gjendje nëse masat nuk janë konsisente dhe rigoroze do të vazhdojë”, u shpreh tutje ai.

Related Articles