Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka ndonjë arkiv sekrete.
Këtë e tha Drejtori i Përgjithshëm i Zyrës për Çështje të Trashëgimisë së TMK-së, Kolonel Safet Syla në “Info Magazine” në Klan Kosova.
Koloneli shtoi se arkivat e UÇK-së janë hapur me përfundimin e luftës dhe se nuk kanë ndonjë arkiv sekrete.
“Realisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës me përfundimin e luftës më 12 qershor 1999 të gjitha arkivat i ka pasur të hapura edhe gjatë luftës edhe pas saj”.
“Ne nuk kemi as një dokument sekret dhe as nuk ekziston një dokument i tillë ose një arkiv e tillë sekrete, që mund të ruhet apo që është duke u ruajtur diku”.
Ai shtoi se Kosova nuk ka ndonjë arkiv të UÇK -së sepse ushtarët nuk kanë pasur kohë që të merren me shkrime.
“Kosova nuk ka një arkiv të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sepse ne gjatë vitit 1998-99 kishim paralel disa fronte, nuk jemi marrë ne me arkiva, me letra, me shkrime, nuk kemi pasur kohë dhe për neve nuk ka qenë aspak e lehtë” ka thënë ai.