Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë tetë vjet më parë vendosi që në fletëvotimet për zgjedhjet lokale të nëntorit 2013, të jetë logoja e KQZ-së.
Deri në atë kohë, në fletëvotime ishte e vendosur stema e Republikës së Kosovës.
Autoritetet në Beograd patën kërkuar që në fletëvotimet e 3 nëntorit të mos ketë shenja të shtetësisë së Kosovës, pasi në të kundërtën, nuk do t’iu bëjnë thirrje serbëve të Kosovës që të marrin pjesë në procesin zgjedhor.
Vendimi i KQZ-së ishte mirëpritur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.
Atifete Jahjaga, e cila atë kohë mbante postin e presidentes së Kosovës, pati inkurajuar KQZ-në që në përputhje me mandatin të gjejë zgjidhje që respekton kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e Kosovës dhe siguron pjesëmarrje gjithëpërfshirëse në zgjedhjet komunale të 3 nëntorit.