Në Greqi është shfaqur varianti “Mu” i koronavirusit të ri (COVID-19) i cili është shfaqur për herë të parë në Kolumbi.
Sipas të dhënave nga Agjencia Kombëtare Greke e Shëndetit Publik (EODY) në Greqi janë regjistruar 6 raste me variantin “Mu” për të cilin Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka informuar se ka pësuar mutacione më rezistente ndaj vaksinave por që ka nevojë për më shumë hulumtime mbi këtë çështje, raporton ATSh.
Dy nga rastet janë konfirmuar në testet e kryera në hyrje të aeroportit “Eleftheros Venizelos” në kryeqytetin grek Athinë ndërsa 4 rastet e tjera në Argolida, Attiki dhe Ahaia.
Ndërkohë Delta vazhdon të jetë varianti dominues i COVID-19 në Greqi.
Mbi 90 për qind e të pacientëve të intubuar janë të pavaksinuar
Në vendin ku vazhdojnë debatet për vaksinat dhe vaksinimin e detyrueshëm, sipas të dhënave të EODY 91.7 për qind e 332 pacientëve të intubuar që vazhdojnë trajtimin nëpër spitale, përbëhet nga persona që nuk janë vaksinuar ose që nuk kanë përfunduar vaksinimin.
Që nga fillimi i pandemisë e deri më tani në Greqi për shkak të COVID-19 kanë humbur jetën 13.777 persona ndërsa numri i rasteve ditore vazhdon të jetë rreth 3 mijë.