Mbi një milion euro janë shpenzuar vitin e kaluar duke iu dhënë paga 211 pjesëtarëve të komunitetit serb, pa punuar fare.
Ky shpenzim i parasë pubike është evidentuar nga auditorët e shtetit dhe ka zënë vend në Raportin financiar të Qeverisë për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020.
“Me rastin e testimit të pagave, respektivisht vijueshmërisë në punë të të punësuarve, është identifikuar se 211 punonjës të sistemuar në shtatë ministri, janë paguar gjatë tërë vitit në një shumë totale prej 1,014,005 €, pa vijuar fare në punë”, thuhet në raport.
Ky staf, që dikur ishte pjesë e “Mbrojtjes Civile”, një strukturë paralele serbe në Kosovë, ishte shpërndarë nëpër ministri si rezultat i Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2016, në mes Kosovës dhe Serbisë, por që futja e tyre në listën e pagave ishte bërë para se të krijoheshin kushtet normale për punë.
“Ky problem është i pranishëm për vite me radhë dhe ne kemi dhënë rekomandime për këtë çështje, por i njëjti nuk është adresuar as në vitin 2020. Çështja ka mbetur e pa zgjidhur dhe po përcillet nga viti në vit”, kanë përkujtuar auditorët, shkruan Infokus.
Sistemimi në institucione shtetërore të Kosovës i këtyre ish-strukturave paralele serbe ishte bërë me qëllim që ato ta shuajnë aktivitetin e tyre.
Por, pavarësisht se pjesëtarët e atyre strukturave marrin paga pa punuar fare, në realitet nuk ka ndodhur shuarja e strukturave paralele.
Këtë e ka pohuar vetë zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, pas një takimi në Bruksel, gjatë muajit korrik.
Ai ka bërë të ditur se në prani të palës serbe i ka radhitur të gjitha strukturat ilegale paralele të Serbisë në Kosovë, si në politikë, siguri, arsim, shëndetësi, ekonomi dhe financa.
“Kam vërtetuar që me kohë se Serbia jo që ka punuar në shuarjen e tyre, por i ka fuqizuar të njëjtat”, ka thënë Bislimi.
Serbia nga buxheti i saj edhe për vitin 2021 ka ndarë 91.8 milionë euro për financimin e institucioneve paralele dhe aktiviteteve të saj në Kosovë.