Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj një personi, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur më 3 gusht 2025, në fshatin Baicë të Komunës së Lipjanit, pas një mosmarrëveshjeje paraprake ndërmjet të pandehurit dhe viktimës, Enver Bajraktari.
Prokuroria dyshon se i pandehuri fillimisht e ka goditur viktimën me një mjet të fortë në pjesë të ndryshme të trupit, ndërsa më pas e ka lidhur me litar rreth qafës, duke i shkaktuar asfiksi mekanike dhe vdekjen.
Pas kryerjes së veprës, sipas aktakuzës, i pandehuri dyshohet se trupin e viktimës e ka tërhequr zvarrë dhe e ka fshehur në një gropë, të cilën më pas e ka mbuluar me dhe. Gjithashtu, dyshohet se ka fshehur edhe mjetet e përdorura gjatë kryerjes së veprës.
Ndërkaq, gjatë kontrollit në shtëpinë e të pandehurit në fshatin Baicë, janë gjetur dhe sekuestruar disa armë të kalibrave të ndryshëm, përfshirë armë automatike, pushkë dhe municion, të cilat dyshohet se mbaheshin pa autorizim.
Me rastin e ngritjes së aktakuzës, prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës kompetente që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.
ka njoftuar Prokuroria Themelore në Prishtinë.
