Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Etem Arifi, thotë se nuk ndihet fajtor, por ka respektuar shtetin dhe ligjet e tij, kështu ka vazhduar mbajtjen e dënimit që i ishte caktuar.
Ai deklaroi se deri te vendimi për dënimin e tij erdhi vetëm për shkak të statistikave, sepse sipas tij duhej të dënohej dikush prej zyrtarëve të lartë.
”Unë prapë e ndjejë veten që nuk jam fajtor, sido që të jetë nuk kisha dashtë me u marrë sidomos me emra, por ka pasur shumë aktakuza dhe shumë emra që kanë bredhë nëpër gjykata, por nuk janë dënuar, do të thotë i vetmi deputet që jam dënuar unë”, tha ai në Klan Kosova.
Tutje ai tregon se do t’i ndjekë të gjitha rrugët ligjore që ta dëshmojë pafajësinë e tij.
Ndërsa, sipas kryetarit të Partisë së Ashkalinjëve për Integrim, vota e tij për formimin e Qeverisë Hoti ka qenë legjitime.
”Derisa unë nuk kam qenë në burg, nuk kam qenë në vuajtje të dënimit ka qenë legjitime, unë po mendoj që vota ime ka qenë legjitime dhe qeveria që është zgjedhë prej Avdullah Hotit ka qenë legjitime”.
Arifi njoftoi se nuk do të jetë pjesë e zgjedhjeve lokale që do të mbahen në tetor në Kosovë.