Nënë dhe bir nga Zhegra e Gjilanit kanë vdekur mbrëmjen e sotme si pasojë e infektimit me COVID-19.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i kësaj komune, Lufti Haziri në Kanal 10.
“Fatkeqësisht sonte u njoftova se dy anëtarë të familjes Arifi nga Zhegra kanë vdekur, janë nënë e djalë. Kanë vdekur sonte në mbrëmje dhe kjo e rëndon shumë situatën”, tha ai.
Ai ka thënë se ky është një lajm shumë i rëndë. Haziri ka theksuar se deri tani në Gjilan nga ky virus kanë vdekur 180 persona.
Haziri ka bërë të ditur se aktualisht në komunën e Gjilanit janë gati 900 raste aktive.
Ndërsa, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 27 vdekje.
Nga 6 mijë e 310 testime, 489 prej tyre kanë rezultuar pozitivë me COVID, derisa 859 janë shëruar.
Gjithsej, 25 mijë e 290 janë raste aktive me COVID në Kosovë.