Zvicra ka shtrënguar masat për turistët nga Kosova. Siç ka njoftuar Ambasada e Zvicrës në Kosovë, nga e hëna për të hyrë në Zvicër kriter i domosdoshëm është vaksinimi anti-COVID.
Qytetarët e pavaksinuar do të lejohen vetëm në situata “ekstremisht të domosdoshme”. Sipas Sekretariatit të Shtetit për Migrim kjo ka të bëjë vetëm me rastet e vdekjeve, paraqitjet gjyqësore apo vizitat urgjente.
Masa nuk vlen për shtetasit kosovarë që kanë lejeqëndrim të përhershëm në Zvicër.
Masat e njëjta si për turistët nga Kosova vlejnë edhe për turistët nga Maqedonia e Veriut.
Zvicra po shtrëngon masat ndaj shteteve të Ballkanit pasi pas pushimeve të verës spitalet për COVID-19 në këtë shtet u mbushën me kosovarë e qytetarë të tjerë të huaj. Shumica dërrmuese e pacientëve ishin të pavaksinuar.
Pas përfundimit të pushimeve, autoritetet zvicerane apeluan nëpërmjet mjekëve shqiptarë atje, që qytetarët të vaksinohen.