Kuvendi i Kosovës ka nisur sesionin vjeshtor dhe në deklarimet jashtë rendit të ditës, fjalën e ka marrë kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi. Në fjalën e tij para deputetëve të Kuevndit, Krasniqi ka hedhuar akuza në drejtim të Qeverisë, për siç e ka quajtur keqmenaxhim me pandeminë.
Krasniqi tha se kryeministri Kurti ka refuzuar bashkëpunimin për të gjetur alternativë në situatën e rënduar me pandeminë. Teksa tha se “Qeveria i hapi në verë dasmat dhe ahengjet për të na mbyllur në vjeshtë shkollat dhe çerdhet”.
“Për shkak të përgjegjësisë me gjendjen e rënduar unë ju drejtova me një letër kryeministrit Kurti për t’i ofruar bashkëpunimin tim dhe të PDK-së, madje i ftova edhe partitë e tjera të gjejmë mundësi dhe alternativë për një përgjigje efikase në gjendjen e rënduar. Megjithëse isha në fillet e drejtimit të PDK-së, nuk doja të ndiqja shembullin që e ka vendosur vetë z.Kurti, duke krijuar ndasi politike për shkak të qëndrimeve partiake dhe për tema të rëndësisë nacionale, sepse një model të tillë e kemi parë dhe e kanë parë të gjithë qytetarët e Kosovës. Një model i tillë prodhon kriza, por nuk zgjidh kurfarë krize”, u shpreh Krasniqi.
Ai tha se në këtë gjendje do të duhej të ishte një emërues i përbashkët politik.
“Kosova është emëruesi i përbashkët i gjithë neve, përballë kësaj gjendje do të duhej të ishim një front i përbashkët politik. Por kryeministri Kurti refuzoi një angazhim të përbashkët, nuk kishte as vëmendje as përgjigje as iniciativë. Ndërkohë numri i vdekjeve rritej e bëhej treshifror çdo javë. Përballë këtij refuzimi gjërave duhet t’ua vëmë emrat përkatës, ishte keqmenaxhimi i qeverisë shkaku që i prodhoi këto pasoja, keqadministrimi i qeverisë që jemi ndër të fundit në Evropë me vaksinim, ndërsa hedhim vaksina të paadministruara, ka lënë qindra profesionistë shëndetësorë të paangazhuar e pa mbështetje”, u shpreh ndër të tjera ai.
“Ne nuk do t’i mbyllim asnjëherë sytë, nuk do të bëhemi oportunistë politik kur është në pyetje shëndeti i qytetarëve”, tha ai tutje.