Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, thotë se vendimi i sotëm i MPB-së për vendosje të reciprocitetit ndaj Serbisë për targat është zbatim i vendimit që e kishte nënshkruar vetë sa ushtronte këtë pozitë para një viti.
“Vendimi i sotëm i MPB për vendosje të reciprocitetit ndaj Serbisë sa i përket targave të automjeteve është zbatim i vendimit, të cilin në cilësinë e Ministrit të Punëve të Brendshme e kam nënshkruar më 17.09.2020, për shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ Nr.02/2018 për Regjistrimin e Automjeteve me Targa KS”.
Veliu mes tjerash thotë se ky vendim vjen si rezultat i Marrëveshjes së nënshkruar në Bruksel më 14 shtator 2016.
“Njëkohësisht vendimi i sotëm vjen si rezultat i Marrëveshjes së nënshkruar në Bruksel më 14 shtator 2016 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë lidhur me lëvizjen e lirë”.
Tutje ish-ministri thotë se është lajm i mirë që Qeveria Kurti po i njeh marrëveshjet ndërkombëtare që janë nënshkruar në kohën e Qeverisë Hoti.
“Krahas implementimit të vendimeve të marra nga Qeveria e kaluar, lajm i mirë është se Qeveria aktuale po i njeh marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara në kohën e Qeverisë Hoti”.
“Detyrë dhe obligim parësor i të gjithë neve është ruajtja e subjektivitetit shtetëror dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës” ka shkruar Veliu në rrjetin social Facebook.