Presidenti amerikan, Joe Biden, pasi e acaroi Francën me marrëveshjen e befasishme me Australinë për prodhimin e nëndetëseve, nuk e ka gëzuar me ndonjë lajm të mirë as kryeministrin britanik, Boris Johnson, të cilit nuk i premtoi marrëveshje për tregti të lirë.
Në takimin me kryeministrin britanik, shefi i Shtëpisë së Bardhë nuk tingëlloi optimist rreth arritjes së marrëveshjes me Mbretërinë e Bashkuar për tregti të lirë pas Brexit-it, ndonëse qeveria britanike tha se këtë gjë e ka prioritet.
Qeveria britanike tha se udhëheqësit u pajtuan për ta vazhduar punën drejt një marrëveshjeje të plotë për tregti të lirë në të ardhmen. Sidoqoftë, Boris Johnson më parë nuk ka tingëlluar shumë optimist se marrëveshja do të arrihet para zgjedhjeve të ardhshme, duke thënë: “Amerikanët bisedojnë shumë vështirë”.
Duke folur para gazetarëve në Zyrën Ovale para bisedimeve, presidenti amerikan tha se me kryeministrin britanik do të diskutojë “pak” për tregtinë, duke shtuar: “Do të duhet të gjejmë një zgjidhje”, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
Një burim i afërt me qeverinë britanike i ka thënë BBC-së se Britania mund të bisedojë për t’u futur në një marrëveshje tregtare ekzistuese mes Shteteve të Bashkuara, Kanadasë e Meksikës.
Bideni e Johnsoni biseduan edhe për disa çështje të tjera, përfshirë shfrytëzimin e të gjitha metodave diplomatike e humanitare për ta parandaluar përkeqësimin e gjendjes në Afganistan dhe çështjen e ndryshimeve klimatike.