Në pikat kufitare të Jarinjes dhe Bërrnjakut, protestuesit serbë po vazhdojnë të qëndrojnë të mbledhur.
Kryetari i Listës Serbe në Kosovë, Goran Rakiç, deklaroi se njerëzit e mbledhur kërkojnë “vetëm një gjë, lirinë e lëvizjes, atë që u takon atyre sipas të drejtave evropiane”.
Ai tha se njerëzit nuk janë duke kaluar lirshëm pavarësisht pretendimeve të komandantit të njësisë speciale ROSU.
“Pavarësisht pretendimeve të komandantit të njësisë speciale ROSU se njerëzit mund të kalonin lirshëm, një grua që ishte nisur të merrte terapi nuk mund të kalonte sepse njerëzit po shqetësoheshin me pyetje se ku kishin shkuar, dhe kjo forcë ishte duke u demonstruar kundër njerëzve të pafajshëm”.
Rakiç apeloi, “ju lutemi lërini ata njerëz të kalojnë, sepse ata jetojnë këtu, ata janë më vete”.
Ndërsa ju tha njerëzve të mbledhur të qëndrojnë “të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve”.
Përveç kësaj, ai pati apel edhe ndaj Kosovës, duke thënë se kryetari i bashkësisë nuk është organizator i këtij tubimi.
“Po i them edhe palës së kundërt që të mos e sfidojë këtë komb sepse ky komb është komb në vete. Kryetari i bashkisë është këtu me njerëzit dhe ai nuk është organizatori i këtij tubimi. Njerëzit u mblodhën vetë sepse janë të shqetësuar për të ardhmen dhe sigurinë e tyre”, tha Rakiç.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të mërkurën në një konferencë për media deklaroi se ministri Rakiç ishte atje për tu përpjekur që të mos eskalojë situata.
“Me aq sa jam informuar unë dhe sa më ka informuar ministri, besoj që është përpjekur që situata të mos eskalojë të mos ketë veprime të dhunshme dhe nuk mendoj se duhet të marrë masa ndaj tij”, ka thënë Kurti.
Që nga orët e hershme të mëngjesit të 20 shtatorit, Policia e Kosovës, konkretisht Njësia Speciale Operative është vendosur në pikë kalimin e vjetër kufitar në mes të Kosovës dhe Serbisë, në Jarinje të komunës së Leposaviçit, për të filluar reciprocitetin e targave.
Të gjitha veturat që deri më tani kanë pasur targa të Serbisë, duhet t’i zëvendësojnë ato me “RKS”, targa të Republikës së Kosovës”, nëse duan të qarkullojnë brenda vendit.