Situata në veri, flasin nga Policia e Kosovës

Situata në veri, flasin nga Policia e Kosovës

Dy pikat kufitare Kosovë-Serbi në veri të Kosovës, Bërnjak dhe Jarinjë po vazhdojnë të qëndrojnë të bllokuara tash e pesë ditë.

Nata e së enjtes ka kaluar pa incidente, ndërsa Policia e Kosovës po vazhdon të qëndrojë ende në këto dy pika kufitare.

Lidhur me situatën atje, ka folur zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

Ai ka deklaruar se Policia e Kosovës është duke vazhduar veprimet policore përfshirë në të gjitha pikat kufitare me qëllim zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë – konkretisht targave të automjeteve, veprime këto të cilat janë duke vazhduar edhe sot.

Sipas tij, situata në veri vazhdon të jetë e njëjtë.

“Policia e Kosovës në vazhdimësi ka përcjellë dhe monitoruar situatën dhe është kujdesur për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, referuar situatës dhe zhvillimeve në pjesën veriore të Republikës së Kosovës, vlerësohet të jetë një situatë e njëjtë me pengesat e ndryshme të vendosura me automjete, mjete të rënda transportuese, zhavor etj, në lokacione të ndryshme drejt pikave kufitare Jarinje dhe Bërnjak”, ka thënë Kelani.

Çështja e targave është e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Related Articles