Zëvendës ndihmës Sekretari i Shtetit amerikan për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar është deklaruar për çështjen e reciprocitetit për targat ndaj Serbisë duke thënë se të dy palët duhet të përmbahen e të mos përdorin retorikë të dëmshme dhe ta përqendrojnë vëmendjen dhe energjinë në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Escobar për Zërin e Amerikës ka thënë se janë shumë të angazhuar në këtë çështje me partnerët evropianë, ndërsa sipas tij është në dorën e të dyja palëve, që të mos ketë një qasje ushtarake ndaj kësaj çështjeje dhe të mos dërgojnë Forca Speciale në një vend ku është KFOR-i, përcjellë Gazeta “Enigma”.
“Lidhur me çështjen e targave ne do të donim të shihnim disa lëvizje në Bruksel, ndoshta që javën e ardhshme.
Për sa i takon çështjes më të gjerë të dialogut, ka shumë gjëra në tryezë, duke përfshirë disa çështje të menjëhershme, që mendoj se duhet të ndodhin, si ajo e personave të zhdukur, ose ajo e energjisë, për shembull. Por përsëri, përmes dialogut, ky është kanali të cilin ne e mbështesim”.
Ai ka thënë se SHBA dëshiron të shohë një zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë të bazuar në njohjen reciproke mes dy vendeve dhe mbështet dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, një proces që zvarritet prej 10 vitesh, pa shumë përparim.
Sipas tij, është koha për një përpjekje të përtërirë për dialogun.