Bashkimi Evropian (BE) dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë, duhet të ushtrojnë presion ndaj Serbisë për hapjen e arkivave dhe dhënien e informacioneve për varrezat masive, ka thënë, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.
Miftaraj shtoi se vullneti për hapjen e arkivave nga ana e Serbisë nuk ekziston, e që të gjitha këto informacione ai thotë se shteti serbë po i shfrytëzon për negociata.
“Bashkimi Evropian dhe partnerët të tjerë ndërkombëtarë do të duhej t’i bënin presion Serbisë, që thjeshtë si një vend që ka shkaktuar të gjitha këto luftëra e këto dëme në Ballkan do të duhej ta kishte përgjegjësinë që ti hapte arkivat, por edhe të jepte informacione se ku janë të gjitha varrezat masive në mënyrë që të zgjidhet fati i të zhdukurve”.
“Një vullnet i tillë i Serbisë nuk ekziston dhe këtë informacion që e ka po mundohet ta shfrytëzojë në negociata Kosovë-Serbi dhe në fund padyshim më së shumti që është duke humbur janë familjet shqiptare që kërkojnë fatin e familjarëve të tyre që tani më nuk gjinden për më shumë se 20 vite”.
Miftaraj thotë se nuk duhet të shtrohet pyetja se a duhej apo jo të hapen arkivat, pasi që Serbia ka qenë nxitës i disa luftërave në Ballkan.
“Një shtet normal i cili ka qenë nxitës i disa luftërave në Ballkan në fillim të viteve 90-ta dhe që aspiron të jetë pjesë e familjes Evropiane, nuk do të duhej të shtrohej pyetja nëse do të duhej apo jo të hapte arkivat e luftës dhe më këtë të informonte palën kosovare dhe partnerët ndërkombëtarë për gjetjen e të gjithë personave të zhdukur të cilët sot e kësaj dite nuk gjenden ku janë”.
Megjithatë, siç thotë Miftaraj, hapja e arkivave nuk do të prodhonte pasoja juridike për shtetin serbë. Ai ka përmendur edhe padinë për gjenocid të paralajmëruar nga kryeministri i vendit Albin Kurti, e që sipas Miftarajt kjo nuk mund të ndodhë pa qenë Kosova pjesë e Kombeve të Bashkuara.
“Nuk është se mund të ketë më pasoja juridike për shtetin serbë, pasi që Kosova është e vërtetë që ka thënë se do të ushtrojë padi ndaj Serbisë për krime të luftës, por që një gjë e tillë që të ndodhë do të duhej që Kosova të jetë pjesë e Kombeve të Bashkuara, në aspektin human dhe njerëzor që këtë nuk mund ta gjejmë në Serbi, atëherë thjeshtë Serbia në një far mënyrë po e shfrytëzon një gjoker të një diçkaje që ka kryer në Kosovë, siç është krimet e luftës, po i shfrytëzon për negociatat Kosovë-Serbi dhe nuk po ka një presion të duhur ndërkombëtarë”.
E krimet e luftës dhe fatin e të pagjeturve, Miftaraj pohon se Serbia po i shfrytëzon për të fituar në marrëveshjen finale.
“Në dialogun Kosovë-Serbi, BE nuk ka qenë lehtësuesi, dhe mundohen të gjejnë një balancë për të ardhur deri te një marrëveshje finale, dhe në anën tjetër Serbia me logjikën që është duke udhëhequr po mundohet të shfrytëzojë fatin e të pagjeturve si mundësi për të përfituar sa më shumë në një marrëveshje finale”.
Ndërsa, ish-mjekja e UÇK-së Time Kadrijaj, në një intervistë për Ekonomia Online, thotë se nuk ka vlerë më të lartë sesa lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
E padyshim që Kadrijaj thotë se angazhimi i institucioneve të vendit duhet të jetë në vazhdimësi në zbardhjen e rasteve të pagjeturve.
“Nuk ka vlerë më të lartë sesa lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sepse falë kontributit dhe gjakut të dëshmorëve, dhe falë kontributit të ushtarëve të UÇK-së ne po e gëzojmë këtë liri, ne duhet ta çmojmë si vlera më e lartë që i ka ndodhur kobmit shqiptarë. Nuk njolloset një diçka çka është e shenjtë dhe e kot është secili pretendim”.
“…kjo është një e padrejtë që po i bëhet qytetarëve, familjarëve në radhë të parë të këtyre viktimave sepse është e padrejtë që ata sot 22 vjet pas çlirimit nuk e kanë një varrezë dhe kjo është një dhimbje dhe plagë e rëndë për Kosovën, dhe Kosova duhet të angazhohet në vazhdimësi deri në zbardhjen e rastit të fundit të pagjeturve sepse në këtë mënyrë i dalim dhe e kryejmë një obligim moral ndaj familjarëve”.