Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ndërmjet zëvendësministrit Hysen Durmishi ka bërë të ditur se kanë anuluar tenderin me vlerë 44 milionë euro, për mirëmbajtjen verore dhe dimërore të rrugëve nacionale dhe rajonale të Kosovës për 4 vitet e ardhëshme.
“Arsyeja e kësaj konference është për të njoftuar opinionin publik për dy vendime të cilat i kemi marrë si Ministri ditën e djeshme. E para ka të bëjë më anulimin e procedurës së prokurimit për projektin: “Mirëmbajtja verore dhe dimërore e rrugëve nacionale dhe rajonale të Kosovës për vitet 2021/2022, 2022/2023 dhe 2023/2024”. Vlera e parashikuar e këtij projekti është 44 milionë euro”, u shpreh Durmishi.
Ai tha se janë dy arsye pse e kanë anuluar këtë procedurë në këtë fazë.
“E para ka të bëjë me atë se ky projekt parashihet që të jetë kontratë kornizë tri vjeçare dhe nuk mund ta ndryshojmë më pasi të lidhen kontratat. Ne jemi të interesuar që të bëjmë ndryshime edhe në pozicione të paramasës e po ashtu edhe në kriteret teknike.” tha zëvendësministri.
Poashtu ai shtoi se zhvillimi teknologjik i mënyrës së ndërtimit të rrugëve duhet përfundimisht të jetë pjesë e rrugëve të Kosovës, sepse kështu do të sigurohet që mirëmbajtja dhe ndërhyrjet në të ardhmën të jenë më cilësore dhe më të sigurta.
Ndërsa sipas tij, arsyeja e dytë ka të bëjë me kriteret teknike të cilat duhet t’i ndryshojnë në mënyrë që të ketë gjithëpërfshirje dhe konkurrencë më të madhe në mes kompanive në të ardhmën.
“Kriteret do të jenë të tilla që të kenë mundësi më shumë kompani të marrin punë dhe jo siç ka ndodhur në të kaluarën kur paraprakisht është ditur se cilat kompani do të fitojnë. Tani kjo praktikë shumë e keqe që është vendosur nga qeveritë e kaluara dhe ministrat e kësaj ministrie do të ndryshoj përfundimisht!” tha Durimishi duke e arsyetuar vendimin e sotshëm.