Barcelona ka kthyer vëmendjen te talentet e reja, pasi klubi ka vuajtur financiarisht në këtë vit, ku humbi edhe dy yjet e mëdhenj si Leo Messi dhe Antoine Greizmann.
Fillimisht klubi mbylli marrëveshjen me Rapid Vjenës për huazimin me opsion blerjete sulmuesit austriak Yusuf Demir, i cili tashmë po luan në ekipin e parë.
Para disa ditësh Barça ka siguruar nënshkrimin edhe të mesfushorit turk 17-vjeçar, Emre Demir nga Kayserispor. Tani radha është nga Suedia, nga ku po flitet për interesin e “blaugranave” për një tjetër mesfushor në rritje, 17-vjeçarin e Hammarbyt, Williot Swedberg.
Talenti në fjalë është ndjekur edhe nga PSG. Mediet suedeze kanë zbuluar se Barça ka hedhur hapa konkretë dhe familja e lojtarit po kërkon akomodim në Barcelonë.
Williot mësohet se ka jetuar më parë në Spanjë dhe flet mirë spanjisht, kështu që do të ishte shumë e lehtë përshtatja për të.
Vetë futbollisti pranoi se është e vështirë të refuzosh një mundësi të tillë nëse të shfaqet. “Barcelona nuk është një klub dosido. Nuk do t’i thosha jo Barcelonës, edhe pse Valencia është skuadra ime e preferuar në Spanjë, por unë ende nuk jam në atë nivel,” ka thënë talenti i ri.
Sidoqoftë, Hammarby tani për tani nuk ka në plan ta shesë dhe këtë e konfirmojnë nga klubi.
“Është logjike që klubet e mëdha ta ndjekin Swedberg për atë që ai po bën në moshën e tij”, ka thënë tha Jesper Jansson, drejtor sportiv i Hammarby.