Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës U21, Michael Nees e ka publikuar listën e futbollistëve për dy ndeshjet kualifikuese të këtij muaji kundër Republikës së Çekisë.
Ndeshja e parë zhvillohet më 7 tetor në stadiumin “Fadil Vokrri” në orën 19:00, derisa ndeshja e dytë më 12 tetor në Ceske Budojevice në orën 18:00. Dardanët U21 grumbullohen të hënën në hotel “Sheraton”, derisa stërvitjen e parë do ta zhvillojnë në po këtë ditë në orën 15:00, në kompleksin e FFK-së në Hajvali.
Nga lista e publikuar prej 24 futbollistëve, vetëm katër janë nga Superliga e Kosovës. Flamur Gashi (Malisheva), Bujar Pllana (Feronikeli), Valmir Veliu (Llapi) dhe Ardit Tahiri (Drita) janë lojtarët e ftuar që luajnë në Superligë.
Ndërkohë nga Liga e Parë është ftuar Petrit Terziu i Vëllaznimit.
Kosova U21 bën pjesë në Grupin G të kualifikimeve të Evropianit 2023, derisa pas dy ndeshjeve të zhvilluara ka një fitore (me Andorrën) dhe një humbje (me Anglinë).