Kanosi dhe sulmoi dy policë në Fushë Kosovë, qytetari dënohet me 6 muaj burgim

Kanosi dhe sulmoi dy policë në Fushë Kosovë, qytetari dënohet me 6 muaj burgim

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me gjashtë muaj burgim efektiv të akuzuarin V.S lidhur me akuzën se kanosi dhe sulmoi dy zyrtarë policorë në Fushë Kosovë në shtator të këtij viti.

Aktgjykimi në fjalë u shpall të mërkurën nga gjykatësi Adnan Kamberi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

S. në seancën fillestare të mbajtur më 5 tetor e ka pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë.

Sipas këtij aktgjykimi dënimi me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë muajve do të ekzekutohet brenda afatit prej 15 ditësh, pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Me anë të këtij aktgjykimi të akuzuarit i ndërpritet masa e paraburgimit ndërsa koha e kaluar në këtë masë do t’i llogaritet në dënimin e shqiptuar.

Obligohet i akuzuari që të paguaje edhe shpenzimet procedurale dhe atë shumën prej 30 euro në emër të paushallit gjyqësorë dhe 30 euro për fondin e kompensimit të viktimave të krimit.

Pala e dëmtuar për realizimin e kërkesës pasurore juridike është udhëzuar në kontest civil.

Aktakuza e ngritur më 29 shtator 2021, V.S e ngarkon me veprën penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” e parashikuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, S. më 16 shtator 2021 në lagjen Bresje në Fushë Kosovë, me qëllim të frikësimit ka kanosur zyrtarin policor G.S i cili ishte në kryerje të detyrës zyrtare duke e fyer dhe duke ju drejtuar me fjalët “kam me t’rujt te shpija privatisht, ke me pas punë me mua, kam me ta prish fytyrën stupc” po ashtu me fjalët “ se skam allti se ta kisha vra”.

Tutje, sipas aktakuzës i pandehuri me dashje ka sulmuar zyrtarin policor Q.R duke e goditur me kokë në kokën e të dëmtuarit.

Me këto veprime, S. po akuzohet se ka kryer veprën penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 401 paragrafi 5 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme kryesi dënohet me burgim prej një (1) deri në pesë (5) vjet.

Related Articles