Pasojat post-COVID, me çka po ballafaqohen qytetarët pas shërimit nga koronavirusi?

Pasojat post-COVID, me çka po ballafaqohen qytetarët pas shërimit nga koronavirusi?

Fjolla Bajraliu nga Gjilani, në mars të këtij viti kishte rezultuar për herë të parë pozitive me COVID-19. Ndonëse e kishe përjetuar rëndë virusin, ajo u riinfektua sërish muajin e kaluar, shkruan Gazeta “Enigma”.

“Kam qenë e infektuar dy here me virusin.  Në muajin mars të këtij viti, ku kam qenë shumë keq me simptoma të shumta, kam pas mungesë të nuhatjes, koll, humbje zëri dhe probleme me mushkëri”, ka rrëfyer ajo për Gazetën “Enigma”.

Ndërkohë ajo ka treguar se në muajin shtator ishte vaksinuar kundër COVID-19, porse ishte ri-infektuar pak ditë më pas.

“Jam vaksinuar në shtator, po vetëm pas dy javësh jam infektuar sërish me virus. Kësaj here simptomat kanë qenë krejtësisht të tjera. Kisha të vjella, marramendje edhe jam detyruar të qëndroj në spital për disa jave rresht”, tregoi tutje ajo.

E përkundër se tash e disa javë ka rezultuar negativ nga koronavirusi, Fjolla ka rrëfyer për Gazetën se vazhdon të ndjehet e plogësht e të ketë vështirësi në frymëmarrje.

Madje herë pas here ka edhe kollitje.

Klinika infektive në QKUK

Pasojat post-COVID, si të reagojmë?

Pulmologia, Rukije Mehmeti, në një deklarim për Gazetën “Enigma”, ka njoftuar se në Klinikiën e Pulmologjisë, ku ajo punon, ka vazhdimisht raste kur pacientët që kanë qenë të prekur me COVID-19, kërkojnë ndihmë mjekësore, për shkak të pasojave post-COVID.

“Në këtë repart përveç sëmundjeve që trajtohen këtu vijnë edhe rastet post-COVID, normal ka raste për çdo ditë kemi. Simptomat që shfaqen më së shumti nga post-COVID janë zënia e frymës, lodhje dhe plogështi këto janë më të përgjithshme, por në raste më të rralla është edhe oksigjeni”, ka thënë ajo.

Pulmologia, Rukije Mehmeti,

Ndonëse nuk ka njoftuar për shifrat, Mehmeti thotë se numri i pacientëve që shfaqen me këso simptoma nuk është i madh.

“Vetëm rastet me oksigjen trajtohen në këtë klinikë, edhe që janë raste më të rënda kuptohet që pranohen, për raste më të lehta kuptohet që nuk ka nevojë me u shtri në spital, janë këtu vetëm për kontroll”, theksoi tutje ajo.

Ndërsa Infektologu Xhevat Demiri, për Gazetën “Enigma”, ka treguar se pacientët me simptoma post-COVID, ballafaqohen me simptoma nga më të ndryshmet.

“Pulmonare-mushkërore, intestinale, harresa, lodhje, anoreksit, marramendjeje, kohë pas kohe edhe të vjella, dhimbje shpinde, dhembje e këmbeve, probleme neurologjike e shumë të tjera”, ka thënë ai.

Infektologu, Xhevat Demiri

Ndërkohë ndonëse në Kosovë ka rënë dukshëm numri i të infektuarve me COVID, deri më sot numri i përgjithshëm i të shëruarve është 155.379.  

Kurse numri i rasteve aktive është 1mijë e 895./Gazeta Enigma.

Related Articles