Krasniqi në 22 vjetorin e PDK-së: Misioni ynë është krijimi i mundësive të barabarta për qytetarët

Krasniqi në 22 vjetorin e PDK-së: Misioni ynë është krijimi i mundësive të barabarta për qytetarët

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në 22 vjetorin e themelimit të kësaj partie ka thënë se PDK është krenare për trashëgiminë e saj politike, si bartëse e kauzës së luftës për çlirim, për angazhimin për pavarësi dhe shtetndërtim.

Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi është shprehur se kultivimi i lirisë politike e qytetare dhe i shtetit tonë sovran e demokratik ishin themele të kauzës së PDK-së, e cila bëri bashkë patriotë, luftëtarë të lirisë, intelektualë, e qytetarë nga të gjitha anët e Kosovës.

“Udhëheqësit e PDK-së, së bashku me qytetarët e Kosovës, për vite me radhë dhanë kontribut të jashtëzakonshëm, për ta shtruar rrugën e pavarësisë – duke arritur që ta përmbyllin me sukses themelimin e shtetit në vitin 2008. Atë çfarë PDK-ja dhe njerëzit e saj e kishin mision dhe vizion politik, e manifestuan në ngritjen e shtetit tonë të ri, mbi një themel të fortë, të qëndrueshëm e të pathyeshëm, duke i dhënë shpirt projektit politik të shtetndërtimit.”, shkruan ai.

Krasniqi thotë se PDK-ja për këto 22 vite ka bartur përgjegjësi të mëdha, por nuk është ndalur kurrë dhe s’ka për t’u ndalur, sepse misioni, angazhimi dhe vlerat politike të saj janë të përbashkëta me aspiratat e qytetarëve të Kosovës.

“Krenohemi që së bashku me qytetarët kemi transformuar Kosovën dhe i kemi dhënë jetë mundësive zhvillimore të saj. Dhe, jemi të gatshëm e të motivuar për t’i dhënë Kosovës shumë më shumë se deri më tash. Në shënimin e këtij përvjetori, Partia Demokratike e Kosovës është e lënduar, pasi që themeluesit dhe drejtuesit e saj, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, për herë të parë nuk janë në mesin tonë për ta shënuar këtë datë. Ata po ballafaqohen me betejën e fundit për dinjitetin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftës së pastër për çlirim, nga e cila betejë, jemi të bindur se do të dalin fitimtarë, për t’u kthyer në mesin tonë ashtu siç edhe janë – si heronj.”, shkruan Krasniqi.

Ai thotë se misioni i PDK-së vazhdon të jetë zhvillimi i shtetit dhe krijimi i perspektivës për të gjithë qytetarët e Kosovës, një mision që synon ngritjen e Kosovës në rang të barabartë mes vendeve dhe shteteve demokratike, që kultivon marrëdhënie të qëndrueshme e të përhershme me aleatët tanë strategjikë, SHBA-të, Bashkimin Evropian, Mbretërinë e Bashkuar dhe vendet e tjera mike.

“Këtë mision do ta përmbushim bashkë, për të sotmen dhe të ardhmen. Bashkë për Kosovën!”, përfundon ai./Gazeta Enigma.

Related Articles