Cristiano Ronaldo nuk njeh moshë dhe vijon të thyejë rekorde të njëpasnjëshme, duke shkruar historinë e futbollit. Së fundi portugezi u bë protagonist, duke shënuar një gol në miqësoren ndaj Katarit, e zhvilluar mbrëmjen e djeshme.
Me këtë realizim, portugezi çoi në 112 numrin e golave të shënuar në përfaqësuese, duke thelluar edhe më tej rekordin e vendosur po nga ai vetë muajin e kaluar, ndërsa i dyti është iraniani Ali Daei me 109 gola.
Megjithatë ajo që kishte më shumë vlerë ishte prezenca në fushë, pasi CR7 regjistroi ndeshjen e 181-të me fanellën e Portugalisë, duke parakaluar Sergio Ramos, që numëronte 180 ndeshje me Spanjën dhe duke u bërë futbollisti me më shumë takime të luajtura me një përfaqësuese europiane.
Objektivi i radhës i Ronaldos është ndeshja eliminatore ndaj Luksemburgut, ku Portugalia do të kërkojë tre pikët për të rimarrë vendin e parë në grup, që momentalisht mbahet nga Serbia.