Mamografia mobile në funksion nga java e ardhshme – MSH: Do t’i sigurojmë barnat esenciale

Mamografia mobile në funksion nga java e ardhshme – MSH: Do t’i sigurojmë barnat esenciale

Pas vizitës në Klinikën e Onkologjisë, ushtruesja e detyrës së ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku, tha si institucionet janë të përkushtuar në sigurimin e barnave dhe në përgatitjen e planit nacional për sensibilizimin dhe ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit.

“Tetori njihet si muaji i ndërgjegjësimit të kancerit të gjirit e shprehur në veçanti tek gratë. Të dhënat tregojnë se 1 në 8 gra preken nga kanceri i gjirit dhe vetëm trajtimi i hershëm e rrit shkallën e mbijetesës. Nga të dhënat e Onkologjisë, në nëntë muajt e fundit janë trajtuar 400 gra të moshës 50 vjeçare”, tha Gexha-Bunjaku.

Tutje, ajo tha se bashkëpunimi i institucioneve shëndetësore, profesionistëve shëndetësor mbetet arma më e fortë për parandalimin e kancerit të gjirit.

“Bashkëpunimi i institucioneve shëndetësore, profesionistëve shëndetësor mbetet arma më e fortë kundër kancerit të gjirit. Inkurajojmë gratë dhe burrat që ta rrisin kujdesin dhe vetëkontrollin”.

“Ne u informuam nga drejtori i Klinikës Onkologjike për sfidat e punës së kësaj klinike, terapitë dhe probleme tjera, andaj si ministri  e Shëndetësisë jemi të përkushtuar që luftën kundër kancerit të gjirit ta bëjmë me një plan nacional”.

Në anën tjetër drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, tha se përkundër gjendjes pandemike kanë arritur që të avancojnë dhe punojnë mjaftueshëm në parandalimin e kancerit të gjirit.

 “Jemi këtu ne kuadër të aktiviteteve që përkojnë në këtë muaj të ndërgjegjësimit të kancerit të gjirit. Kemi parasysh qe nevojat janë shumë të mëdha, dhe edhe pse kemi pasur situatën me pandeminë por kemi arritur që të avancojmë me këto shërbime, dhe për herë të parë edhe me shërbime psikologjike”, tha Krasniqi.

Tutje, ai tha se shumë shpejtë do fillojnë me shërbimet e mamografisë mobile nëpër komuna që nuk kanë aparate të diagnostifikimit të kancerit të gjirit.

“Shumë shpejtë qysh nga  java e ardhshme do të fillojmë edhe me shërbimet e mamografisë mobile nëpër komuna ku nuk kanë aparate”, theksoi tutje Krasniqi.

Edhe drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, falënderoi ministren Gexha që vizitën e parë e ka bërë në këtë klinikë, duke shtuar se kanë arritur të kryejnë për 9 muaj mbi 200 mijë shërbime.

“Falënderoj ministren që vizitën e parë e ka bërë në klinikën tonë. Ne si klinikë kemi trajtuar shërbime nga më të ndryshmet, dhe vetëm për nëntë muajt e parë kemi kryer mbi 200 mijë shërbime, dhe 300 femra kemi identifikuar me kancer të gjirit, madje mund të cekim se  është rritur numri që për herë te parë është bërë diagnostifikimi i grave në stsdin e parë të sëmundjes”, tha Kurtishi.

Ministrja dhe drejtori i Onkologjisë u pyeten rreth ankesave të pacientëve për  mungesë së barnave për terapitë që marrin dhe planit të ministrisë për barnat esenciale.

Kurtishi për barnat tha se mungesa e disa prej barnave është logjike të mungojë dhe se shumë shpejtë do furnizohen. /Gazera Enigma/.

Related Articles