Autoritetet kineze konfirmuan të martën se 13 persona vdiqën, pasi autobusi me të cilin po udhëtonin ra në një lumë të vrullshëm në kohën e vërshimeve, të cilat kanë shkaktuar 15 vdekje të tjera në pjesën veriore.
Transmetuesi shtetëror, CCTV, tha se 37 persona janë shpëtuar nga autobusi dhe shtatë prej tyre janë hospitalizuar. Vozitësi është arrestuar nga policia, ndërsa një person ende është i zhdukur, shkruan Associated Press.
Aksidenti ndodhi të hënën, pasi reshjet e dendura shkaktuan vërshime që shkatërruan shtëpi dhe mbuluan sipërfaqe bujqësore në dy provinca afër kryeqytetit Pekin.
Një uebfaqe zyrtare e lajmeve në Kinë tha se vozitësi i autobusit i kishte injoruar paralajmërimet që të mos përpiqet për ta kaluar urën që ishte pothuajse e mbuluar nga uji i vërshimeve.
Në provincën Shanxi, 15 persona kanë vdekur nga vërshimet që kanë shkaktuar humbje të drejtpërdrejtë ekonomike prej më shumë se 770 milionë dollarësh, raportoi televizioni shtetëror.
Më shumë se 120.00persona janë evakuuar në këtë provincë, pasi mijëra shtëpi janë shkatërruar dhe 190.000 hektarë me të mbjella janë dëmtuar.