Kina është duke u përgatitur për të testuar dhjetëra mijëra mostra të gjakut nga qyteti Wuhan si pjesë e hetimit të prejardhjes së sëmundjes COVID-19, sipas një zyrtari kinez. Ky veprim vjen në kohën e shtimit të thirrjeve për transparencë rreth paraqitjes së virusit.
Marrja e rreth 200.000 mostrave, përfshirë ato nga muajt e fundit të vitit 2019, është përmendur në shkurt nga paneli i hetuesve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë si burim i mundshëm i informatave kyçe që do të mund të përcaktonin se kur dhe ku ka kaluar virusi në njerëz, shkruan CNN.
Mostrat mbahen në Qendrën e Gjakut në Wuhan dhe besohet se mes tyre ka që janë marrë edhe në vitin 2019, duke ofruar mostra në kohë reale nga një masë e gjerë e popullsisë në qytetin kinez ku besohet se virusi SARS-CoV-2 të ketë kaluar së pari në njerëz.
Zyrtarët kinezë kanë thënë se mostrat e gjakut janë ruajtur për dy vjet në rast se nevojiten si dëshmi për ndonjë padi në lidhje me donacionin e gjakut.
Një zyrtar nga Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë në Kinë i tha televizionit CNN se përgatitjet për testim janë duke u zhvilluar dhe konfirmoi se një gjë e tillë mund të ndodhë posa të kalojë afati dyvjeçar i ruajtjes së mostrave.
Nëse janë ruajtur si duhet, këto mostra gjaku mund të përmbajnë shenja të rëndësishme të antitrupave të parë, që organizmi i njeriut mund t’i ketë prodhuar kundër virusit të ri, thonë ekspertët./Gazeta Enigma/