E premtja është dita e fundit e fushatës para zgjedhjeve për pushtetin komunal të së dielës në Kosovë.
Kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor, Kreshnik Radoniqi, tha se tashmë janë kryer të gjitha veprimet që garantojnë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të së dielës, i cili do të mbikëqyret nga rreth 25 mijë vëzhgues të akredituar.
“Këto katër muaj që po i lëmë pas kanë qenë plot angazhim për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në organizimin e zgjedhjeve lokale. Ky është një nga proceset më të mëdha dhe gjithëpërfshirëse dhe Kosova ka krijuar një traditë të çmuar në organizim të zgjedhjeve. Si Komision kemi arritur të përmbyllim me sukses qindra aktivitete zgjedhore me një qëllim të vetëm që të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës me të drejtë vote të mund të shprehin vullnetin e tyre në mënyrë të lirë dhe demokratike”, tha ai.
Nga numri i përgjithshëm i vëzhguesve të zgjedhjeve, 177 janë të organizatave ndërkombëtare ndërsa 39 të përfaqësive diplomatike në Kosovë.
Gjithsej 89 subjekte politike, prej të cilave 32 parti politike, një koalicion, 33 nisma qytetare dhe 23 kandidatë të pavarur janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet për pushtetin komunal të 17 tetorit, ndërsa rreth një milionë e 885 mijë 450 votues kanë të drejtë vote. /Gazeta “Enigma”/