Një grup protestuesish me orientime ideologjike të krahut të djathtë ekstrem në Serbi kanë protestuar përpara Ambasadës së ShBA-së dhe asaj të Shqipërisë për serbët në Kosovë, duke bërë edhe thirrje nacionaliste.
Sipas vlerësimeve të policisë serbe, pjesëmarrës ishin rreth 40-50 persona, raporton REL.
Përpara se të mbërrinin tek ambasada amerikane, protestuesit u ndalën tek Ambasada e Shqipërisë në Serbi, duke bërtitur “Kosova është zemra e Serbisë”.
Protestuesit tutje bënë thirrje që të bojkotohen zgjedhjet lokale që do të mbahen në Kosovë ditën e nesërme.
Damnjan Knezevic, udhëheqësi i të ashtuquajturave “patrulla e popullit”, bëri thirrje paraprakisht për protestë përmes rrjeteve sociale.
Ai deklaroi në një video në Facebook se protesta po organizohet para ambasadës sepse “Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një nga armiqtë më të mëdhenj të qenies kombëtare dhe mbijetesës së shtetit, veçanërisht në Kosovë”./Gazeta Enigma/